Tillerson: Ende shumë herët për të folur për një proces diplomatik me Korenë e Veriut

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u shpreh sot se është ende shumë herët për të folur për një proces diplomatik me Korenë e Veriut, me të cilën Uashingtoni duhet gjithsesi të ndërmarrë diskutime, shkruan Washington Post.

Tillerson nisi sot në Kajro një tur vizitash në Lindjen e Mesme, ka marrë shkas nga një artikull i së përditshmes amerikane ku citohej dje zëvendpresidenti Mike Pence se ishte i gatshëm për të nisur diskutimet me Phenianin.

Sipas gazetës, SHBA-ja do të vijojë të parashtrojë masa me ndikim në aspektin financiar të regjimit të Kim Jong Un derisa ky i fundit të marrë masa të qarta denuklearizimi, megjithëse administrata Trump është tashmë e hapur për të nisur diskutimet me regjimin në mënyrë paralele me vijimin e ushtrimit të presioneve.

I pyetur në lidhje me këtë artikull, Tillerson iu përgjigj se është ende shumë herët për të folur për fillimin e një procesi diplomatik.