Zyrtarët e Bashkimit Evropian disa herë kanë theksuar se nuk do të rinegociojnë marrëveshjen e arritur, megjithëse janë shprehur të hapur për të gjetur një zgjidhje.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk tha të mëkuren se “do të duhet të ishte një vend i veçantë në ferr, për ata që promovuan Brexitin por nuk e menduan një plan të detajuar sesi do të ndodhë kjo”.
Megjithatë, presidenti Tusk shpreson se kryeministrja britanike, Theresa May do të paraqesë të enjten në Bruksel “sugjerime realiste” për mënyren sesi të gjendet një rrugëdalje nga bllokada rreth Brexitit.
Tusk tha se BE-ja nuk do të rihapë marrëveshjen tashmë të dakorduar të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
Kryeministrja britanike Theresa May të enjten në Bruksel do të bisedojë me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
Kryeministrja May po përpiqet të dakordohet për disa ndryshime në pjesën e marrëveshjes që lidhet me të ashtuquajturën “backstop” që ka të bëjë me masat mbrojtëse në kufirin irlandez.
Para kryeministres May, një delegacion i Parlamentit britanik vizitoi së fundi Brukselin, por pas takimit, Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit Evropian Martin Selmayr i vlerësoi bisedimet si jo bindëse.
Ekspertët kanë paralajmëruar se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje, ekonomia e Britanisë do të përballet me kaos.