Tërmeti në Nepal, nis shpërndarja e ndihmave në zonat e thella

Kanë nisur të mbërrijnë ndihmat në zonat e thella të Nepalit, të prekura nga tërmeti i fuqishëm i së shtunës, por ende shumë persona po vuajnë mungesën e ushqimit dhe ujit.

Zyrtarët thonë se shpërndarja e ndihmave në fshatra të caktuara është shumë e vështirë.

“Terreni është i pamundur në disa zona të thella dhe duhet shumë kohë të arrish atje. Nuk mund të ndihmojmë njerëzit pa qenë atje fizikisht. Trupat tona po bëjnë maksimumin”, deklaron Jagdish Chandra Pokherel, zëdhënësi i Ushtrisë së Nepalit.

Tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi pranë kryeqytetit Katmandu mendohet se i ka marrë jetën më shumë se 5 000 njerëzve dhe janë plagosur rreth 10 000 të tjerë. Nepali do të mbajë 3 ditë zi kombëtare për viktimat.

Ditën e martë, kryeministri Sushil Koirala tha për “Reuters” se numri i viktimave mund të arrijë deri në 10 mijë, pasi të mblidhet edhe informacioni për dëmtimet dhe jetët e humbura nëpër fshatrat e rajoneve më të largëta të Nepalit. Me këtë paralajmërim ndoshta mund të tejkalohet edhe numri prej 8500 viktima të shënuara gjatë tërmetit tjetër më të madh në vitin 1934, fatkeqësia që konsiderohej si më e madhja që kishte goditur kombin e vendosur buzë Himalajeve./tch/