Televizioni rus ngatërron keq hartat e Japonisë dhe Koresë Jugore

Televizioni rus i lajmeve, RT, ka kërkuar falje për një ngatërrim të hartës së Zelandës së Re, të cilën e ka përshkruar si hartë të Japonisë, ndërsa hartën e Papua Guinesë së Re e ka emërtuar si Kore Jugore.

Gabimi u bë nga selia e tyre në Shtetet e Bashkuara dhe lajmi kishte të bënte me bazat e reja raketore në Japoni, Kore Jugore dhe Australi. Sidoqoftë, në hartën e paraqitur në ekran, vetëm Australia ishte e emërtuar në pjesën e duhur të globit.

Ky është një nga lëshimet e shumta ku përfshihen gabimet me hartën e Zelandës së Re. Ky shtet shpesh nuk figuron fare në harta, gjë që e kishte nxitur kryeministren zelandeze të merrte pjesë në një protestë kundër kësaj dukurie vitin e kaluar.

Një zëdhënës i televizionit rus tha për një faqe zelandeze të lajmeve se gabimi ishte i paqëllim. “Ekipi ynë i lajmeve të mëngjesit bëri një gabim gjeografik. E përmirësuam atë sapo e pamë dhe jemi siguruar që një gjë e tillë të mos ndodhë më”, tha ai.

Zelanda e Re, shtet me 4.7 milionë banorë, shpesh lihet jashtë hartës së Oqeanisë, duke bërë që institucionet përgjegjëse për turizëm të nisin fushata kundër këtyre lëshimeve, shkruan “The Guardian”,