“Të hetohet Edi Rama” Tahiri shpjegon deklaratën e bërë para gjyqtarëve

Në përfundim të seancës maratonë ku akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, Saimir Tahiri ka shpjeguar një deklaratë të tij në gjyq, ku fliste për hetimin e të gjithëve.

Fjala është për një përgjim të Habilajve, ku ata flasin për mënyrën sesi Tahiri shpenzonte mbi 5 mln euro për fushatën elektorale. Në lidhje me këtë përgjim të kapur nga prokuroria italiane, Tahiri ka argumentuar se këto deklarime të Habilajve janë bërë në kohën kur ai kishte rreth një muaj që kishte marrë detyrën e Ministrit të Brendshëm.

Ja si e shpjegon ish- Ministri i Brendshëm:

“Nëse ka një pretendim që harxhoja 20 mln euro në fushatë, që në atë kohë unë kisha një muaj në detyrë dhe dy trafikantë bisedonin ai merr 5 milionë euro në muaj, atëherë nëse e merr seriozisht ketë përgjim, thash që nuk duhet të kursente njeri pa hetuar… Ç’është kjo parti dhe këta njerëz që harxhojnë kaq para?

Por ata (prokuroria) e dinë që është një përgjim thashethem dhe ordiner… e përsëris, prokuroria ka pasur 2 vjet kohë ta hetonte për mua”, tha Tahiri.