Spitali i dializës në Strugë në gjendje të mjerueshme, rrezikohet edhe jeta e pacientëve

Kaos i vërtetë ka ndodhur mbrëmë në spitalin e dializës në Strugë. Për shkak të shiut të rrëmbyeshëm, tavanet kanë lëshuar ujin duke vërshuar hapësirat e objektit të spitalit kurse pacientët me krevate janë nxjerrë në korridor.

Kjo mund të shihet nga video amatore që sot po qarkullon nëpër rrjetet sociale, shkruan Alsat.

Drejtori i spitalit, Aleksandar Poposki thotë se bëhet fjalë për problem të vjetër që po zvarritet me vite e me të cilin janë të njoftuar Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë.

Në prill është shpallur tender për riparim të plotë të çatisë, por është anuluar, përcjell Express.

Ndryshe, spitali është ndërtuar në vitin 1984 dhe në të trajtohen personat me sëmundje të veshkave nga mbarë Maqedonia, por edhe nga Shqipëria fqinje.

Alsat pyeti në Ministrin e Shëndetësisë përse tenderi për ndërtimin e çatisë së re është anuluar dhe kur planifikojnë ta zgjidhin këtë problem, por përgjigje nuk morëm.