S’kanë qumësht, çifti ushqen vajzën njëvjeçare me 1.5 litër kafe në ditë

Dy prindër në Indonezi nuk kanë para të mjaftueshme për t’i blerë qumësht vajzës së tyre njëvjeçare. Në vend të këtij ushqimi, ata po i japin vajzës vetëm kafe të vluar.

Hadijah Haura, e cila i ka vetëm 14 muaj jetë, i pi tri shishe të vogla me kafe me sheqer ose rreth 1.5 litra kafe në ditë.

Prindërit e saj, Anita dhe Sarifudini, punojnë në fushat e kokosit për t’i siguruar të ardhurat, por nuk arrijnë të fitojnë sa duhet për t’ia blerë vajzës ushqimet e duhura për moshën e saj.

Ata paguhen vetëm 20 mijë rupie ose 1.42 dollarë në ditë dhe këto të holla janë të detyruar t’i shpenzojnë për nevoja të tjera.

 Kështu, ata filluan ta ushqejnë vajzën e vogël me kafe që kur i kishte mbushur gjashtë muaj. Prindërit thonë se ishin të detyruar ta bëjnë një gjë të tillë, sepse nuk kishin mundësi të tjera.

Pavarësisht ushqimit të pazakontë, mediet lokale raportojnë se vajza deri tash nuk ka pasur ndonjë problem serioz shëndetësor dhe është rritur në mënyrë normale.

Megjithatë, prindërit thonë se vajza nganjëherë përballet me mungesë të gjumit dhe rri zgjuar natën deri vonë duke luajtur.

Pasi nëna e saj u ankua se nuk i është dhënë qumësht për foshnjën dhe lajmi u përhap, zyrtarët e një agjencie shëndetësore shkuan te kjo familje dhe ia siguruan disa pako me qumësht dhe biskota.

Ata i informuar prindërit se kafeina mund të jetë shumë e dëmshme për fëmijën dhe kërkuan nga ta që të mos e ushqejnë vajzën më me kafe, shkruan “Daily Mail.”