Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë më shumë trupa në Arabinë Saudite

Pentagoni njoftoi të premten se do të dërgojë trupa ushtarake shtesë dhe pajisje për mbrojtje ajrore në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky vendim erdhi pas sulmit me dronë në stacionet e naftës në vendin me eksportin më të madh në botë të naftës së papërpunuar.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, tha para gazetarëve në Pentagon se ky është hapi i parë për ta përforcuar sigurinë dhe nuk e përjashtoi mundësinë e marrjes së masave të tjera më vonë. Gjenerali i forcave të armatosura amerikane, Joseph Dunford, tha se më shumë hollësi për dërgimin e trupave do të jepen në ditët në vijim.

Disa zyrtarë të tjerë thanë se në Arabinë Saudite mund të dërgohen qindra trupa, ndërsa në mesin e pajisjeve për mbrojtje ajrore mund të përfshihen raketat e sistemit “Patriot” dhe radarët më të avancuar.

Njoftimi për dërgimin e trupave shtesë përputhet me komentet e mëhershme të presidentit amerikan, i cili kishte thënë se shfaqja e durimit dëshmon më shumë fuqi sesa kryerja e sulmeve ushtarake dhe se ai dëshiron ta shmangë luftën e hapur me Iranin, i cili e ka mohuar përgjegjësinë për sulmet.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë ofruar dëshmi të qarta për përgjegjësinë e Iranit në sulmet kundër Arabisë Saudite, por sekretari amerikan i mbrojtjes tha të premten se dronët dhe raketat e përdorura në atë rast ishin të prodhuara në Iran, shkruan “The Guardian”.