Shtëpia e Bardhë miraton shitjen e 66 aeroplanëve luftarakë në Tajvan

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka miratuar shitjen e aeroplanëve luftarakë F-16 në Tajvan. Ky veprim pritet ta zemërojë Kinën në kohën kur dy fuqitë botërore kanë hyrë në një luftë të madhe tregtare.

Shitja e 66 aeroplanëve në Tajvan do të ishte një ndër shitjet më të mëdha të armëve mes Shteteve të Bashkuara dhe ishullit vetëqeverisës. Departamenti i Shtetit e ka informuar Kongresin për këtë vendim pasi ai u nënshkrua nga sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo. Pritet që vendimi të mos kundërshtohet as nga Kongresi.

Për disa javë me radhë, ligjvënësit nga të dy partitë amerikane e kanë akuzuar qeverinë se e ka shtyrë shitjen e këtyre aeroplanëve me qëllim të shfrytëzimit të kësaj çështjeje gjatë negociatave tregtare me Kinën.

Sidoqoftë, bisedimet mes dy shteteve nuk sollën rezultate. Presidenti Trump kishte deklaruar se do të vendosë taksë 10 për qind ndaj mallrave kineze duke filluar nga 1 shtatori. Sidoqoftë, ai më vonë u tërhoq pjesërisht nga ky zotim për shkak të frikës së ndikimit negative që kjo taksë do të kishte në ekonominë amerikane.

Analistët thonë se Kina mund të hakmerret ndaj vendimit për shitjen e aeroplanëve amerikanë në Tajvan përmes vendosjes së sanksioneve ndaj kompanive amerikane, gjë të cilën e ka bërë edhe më parë, shkruan “New York Times”.