“Shqipëria, sekreti i fundit i Europës”

Shqipëria po zë gjithnjë e më shumë hapësirë në agjensitë evropiane të udhëtimeve turistike që ua këshillojnë klientëve të tyre.

Hapësira e radhës mbërrin nga Britania e Madhe ku vendi i ynë përfshihet në listën e pesë vendeve për t’u vizituar këtë verë.

Udhëtimi nis nga Marseja në Francë, më pas në Shqipëri, për t’u hedhur në Sardenjë të Italisë, në Malaga në Spanjë dhe më pas në Portogali.

Stylist.co.uk këshillon Rivierën shqiptare, nga Vlora në Sarandë. Radhit ushqimet dhe pijet tracionale, pa harruar të saktësojë çmimet më të lira se kudo në Mesdhe, transmeton Top Channel.

“Është quajtur si sekreti i fundit i Europës. Turistë nga Italia dhe Ballkani e vizitojnë prej vitesh, por tashmë ka ardhur koha që këtë ta bëjë edhe pjesa tjetër e Europës. Riviera shqiptare është një magji mes ujërave të kaltra joniane dhe bregdetit shkëmbor, ullishteve e portokalleve”, shkruajnë mediat britanike.

Në artikull këshillohet vizita edhe në zonat me trashëgimi historike dhe kulturore si Butrinti, Gjirokastra, Berati, Kruja, Shkodra e të tjera.