SHBA në krah të Lulzim Bashës: Përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë

Ambasada amerikane në Tiranë reagon në lidhje me pjesëmarrjen e opozitës në tryezën për reformën zgjedhore.

SHBA mbështesin vendimin e Lulzim Bashës duke u shprehur se përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e partive opozitare për të dërguar përfaqësues në konferencën për reformën zgjedhore bashkërenduar nga parlamenti dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Ne përshëndesim Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha që thirri një takim të opozitës dje. Përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë.

Shtetet e Bashkuara mbështesin miratimin e reformave të nxitura nga ekspertët zgjedhorë të OSBE/ODIHR në mënyrë që Shqipëria të mund të zhvillojë zgjedhje që janë të lira nga shtrëngimi, trysnia politike, dhe blerja e votës. Populli shqiptar nuk meriton asgjë më pak se sa kjo”, thuhet në reagimin e ambasadës.