Së paku 26 të vdekur nga aksidenti me autobus në Pakistan

Zyrtarët pakistanezë kanë thënë se së paku 26 persona kanë vdekur dhe 12 të tjerë janë lënduar në një aksident me autobus në një rajon malor në pjesën veriperëndimore të Pakistanit.

Muhammad Wakeel, zëdhënës i policisë në qytezën Diamer, tha se aksidenti besohet të ketë ndodhur pasi vozitësi i autobusit e ka humbur kontrollin ndaj mjetit transportues.

Një gazetar lokal raportoi se disa zyrtarë dyshojnë se autobusit nuk i kanë punuar frerët, ndërsa disa të tjerë mendojnë se shoferin e ka zënë gjumi gjatë vozitjes.

 Rajoni i Gilgit-Baltistanit është vend malor me rrugë të ngushta, të cilat janë të hapura për qarkullim vetëm nga muaji maj deri në tetor, ndërsa bllokohen nga bora e madhe gjatë dimrit të gjatë.

Aksidentet e trafikut në Pakistan janë mjaft të shpeshta për shkak të gjendjes së keqe të rrugëve, vozitjes së pakujdesshme dhe automjeteve të vjetra.

Sipas statistikave zyrtare, mesatarisht 15 deri 16 mijë njerëz vdesin çdo vit në Pakistan për shkak të aksidenteve në trafik, shkruan “Free Europe”.