Ruajtja e të dhënave digjitale: Kur sulmon frigoriferi

Pas skandalit të vjedhjes së të dhënave private të qindra politikanëve dhe personaliteteve të njohur në Gjermani shtrohet pyetja: Sa të mbrojtura janë të dhënat tona në një botë digjitale gjithnjë e më të ndërlidhur?
Rreziku nuk vjen vetëm nga rrjetet sociale. Si gjithmonë, kur raportohet për operacione hakerash në media, fillojnë pozicionimet. Ministrja për Digjitalizimin, Dorothee Bär kërkoi një verifikim të ligjit aktual, ndërsa kreu i Të Gjelbërve gjermanë, Robert Habeck hoqi dorë madje me efekt mediatik nga Facebook dhe Twitteri.

Një marrëzi e një të riu?

Çfarë ka ndodhur? Sipas informacioneve të fundit, 994 persona u bënë bërë pre e një sulmi online: sidomos nga politikanë por edhe persona të njohur dhe gazetarë janë publikuar të dhëna personale në një llogari të bllokuar ndërkohë në twitter. 50 raste janë rastë të rënda, ku janë bërë publike të dhënat private, fotografi dhe korrespondenca me E-mail, thuhet nga qarqet e sigurisë në Berlin. Për këtë u ndalua një 20-vjeçar, që sipas të dhënave të Zyrës Federale të Kriminalistikës, ka pranuar se ka spiunuar masivisht të dhënat dhe i ka publikuar duke përmendur si motiv, zemërimin për disa deklarata të politikanëve, gazetarëve apo personave të njohur të jetës publike.

Edhe Ronald Eikenberg nga departamenti i sigurisë së revistës “c’t”” mendon se në rastin aktual bëhet fjalë për marrëzinë e një të riu. “Kur hakeri ka njëherë në dorë emailin e një politikani, atëherë është shumë e thjeshtë që ta kopjosh atë dhe të integrosh një link në një faqe “phishing” që pyet të dhënat e hyrjes në sistem.” Nëse hakeri njeh edhe gjuhën gjermane, ai mund të mbledhë në një kohë të shkurtër shumë informacione, thotë Eikenberg.

Janë Facebook-u dhe twitteri të pasigurtë e duhen çaktivizuar siç bëri së fundmi kreu i Partisë së Gjelbër në Gjermani, Robert Habeck? “Jo, për këtë nuk ka arsye”, thotë eksperti i sigurisë së kopjuterave. Vërtet që rrjetet sociale mbajnë me vete rrezikun që sipërmarrjet të kapin të dhënat personale e t’i japin tek të tretë. “Llogaritë janë të mbrojtura mirë nga ndërhyrjet e palejuara, nëse për secilin shërbim përdoret një fjalëkalim tjetër dhe aktivizohet faktori i dyfishtë i autenticitetit”, thotë eksperti.

Tema komplekse të shpjeguara thjesht

Zyra Federale për Sigurinë e Informacionit Teknik, BSI ka 15 vjet që ofron një faqe të posaçme online për qytetarët për përdorimin e sigurtë të teknologjisë së informacionit. Joachim Wagner, zëdhënës i BSI thotë se informacionet e BSI për sigurinë në këtë faqe vlerësohen nga qytetarët. 100.000 vizitorë në muaj i shohin këto informacione, pa numëruar se sa shpesh klikohen faqet e portaleve të policisë.

Krahas mënyrës së veprimit për sigurinë e zakonshme në teknologjinë e informacionit, BSI ka zbuluar një fushë të re veprimi, të ashtuquajturin smartphone. “Nëse përmes komandimit kaq të lehtë të sistemit “wireless” psh tek frigoriferi, printeri, aparati fotografik, televizori-Smart dhe soba elektrike me vatra induksioni krijohen gjithnjë e më shumë pika lidhëse atëherë rritet edhe mundësia për ndërhyrje nga jashtë”, shpjegon Wagner. Aparatet shtëpiake smart mundet që pas një sulmi nga jashtë të lidhen me programet dëmtuese “bots” e të dëmtojnë kështu software-in furnizues duke e nxjerrë jashtë funksionit. “Kështu frigoriferi yt sulmon Telekomin dhe ju as që nuk e dini”, thotë Wagner. Përmes disa rregullave të thjeshta mund të ketë më shumë siguri, sipas BSI. “E rëndësishme është që pas blerjes së një aparati të tillë-smart të jepet një fjalëkalim i ri.”

Edhe eksperti Eikenberg e njeh faqen shpjeguese të BSI dhe është mjaft optimist. “Tema komplekse të tekonologjisë informative dhe të sigurisë shpjegohen aty në një gjuhë të thjeshtë, kështu çdo përdorues normal mund t’i kuptojë”, thotë ai. Por shpesh faqe të tilla arrijnë vetëm tek ata që e kanë një vetëdije për sigurinë digjitale. Apeli i tij: Më mirë që çdo truk që dini ta ndani me miqtë dhe të afërmit, e kështu të bëheni vetë një multiplikator.