Rama: Taksa, një “klithmë” që duhet dëgjuar

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të martën u radhit në përkrahje të Qeverisë së Kosovës për imponimin e tarifës prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës duke e quajtur atë “klithmë që duhet dëgjuar.”
Reagimi i kryeministrit Rama erdhi pas presionit të shtuar politik ndaj lidershipit kosovar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për t’i hequr masat ndëshkuese ekonomike ndaj dy shteteve të rajonit.

Së fundi, këto masa u kritikuan ashpër nga Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn, i cili udhëtoi të hënën në Prishtinë dhe Beograd për të kërkuar heqjen e tarifës dhe uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë vizitës së tij Hahn po ashtu deklaroi që qytetarët e Kosovës nuk do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave për të qarkulluar lirshëm në shtetet e zonës Schengen deri në vitin 2020.

“Komisioneri Hahn ka të drejtë!” shkroi Kryeministri Rama në llogarinë e tij në Twitter. “Taksa 100% mbi produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është obstruktive, por çfarë ka fituar deri më tash Kosova me qasjen e vet konstruktive?” Hiq për qind të asaj që ka merituar!”

Tarifa ndaj produkteve të Serbisë u vendosën muajin e kaluar nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj si përgjigje ndaj fushatës diplomatike të ndërmarrë nga Serbia kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatën botërore të sigurisë Interpol dhe në tërheqje të njohjeve të shtetësisë së saj.

Kosova dështoi t’i arrijë votat e duhura për t’u bërë anëtare e Interpolit, duke nxitur një reagim të ashpër nga publiku kosovar për politikën e ndjekur nga institucionet e vendit karshi Serbisë.

“Ajo nuk është një taksë që duhet gjykuar, por një klithmë që duhet dëgjuar,” shkroi më tej Rama.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj vazhdoi të këmbëngulë që taksa do të mbetet në fuqi deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ndërkohë që përpos në Serbi kjo masë ka zgjuar reagim te komuniteti serb në Kosovë, në veçanti në tri komunat veriore ku udhëheqësit komunal serbë dhanë dorëheqje nga pozitat publike dhe suspenduan punën e gjykatës në veri të vendit.

Serbia eksporton në Kosovë mallra me vlerë prej 450 milionë euro në vit, ndërkohë që Kosova importon 48 milionë euro në Serbi.