Putin: ShBA “e konsideroi keq” tërheqjen nga pakti për kontrollin e armëve

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se plani i Shteteve të Bashkuara për tërheqje nga një pakt për kontrollin e armëve është “konsideruar keq” dhe paralajmëroi se Moska do të ndjekë shembullin nëse Uashingtoni tërhiqet nga Traktati i Forcave me Rreze të Mesme, i vitit 1987.

Putin i bëri këto komente një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha në një takim të NATO-s në Bruksel se Uashingtoni do ta braktisë traktatin pas 60 ditësh, nëse Moska nuk i çmonton raketat që ShBA konsideron se përbëjnë shkelje të marrëveshjes.

“Është e thjeshtë për ShBA-në të fajësojë Rusinë. Por, ky nuk është rasti. Ne jemi kundër shkatërrimit të traktatit”, tha Putin.

“Çfarë do të bëjmë ne në përgjigje? Shumë thjesht: do ta bëjmë të njëjtën”, tha Putin.

Më herët, Valery Gerasimov, shef i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura ruse, tha se tërheqja e ShBA-së nga traktati “do të ishte një hap i rrezikshëm që do të mund të ndikonte negativisht jo vetëm në sigurinë evropiane, por në të gjithë stabilitetin strategjik”.

Traktati ShBA-Rusi, i cili daton nga Lufta e Ftohtë dhe ka eliminuar një klasë të tërë të raketave nga Evropa, konsiderohet kyç për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës.