Protestuesit djegin materialin zgjedhor

Protestuesit e opozitës i vunë flakën një zyre të Komisionit Zonal për Administrimin e Zgjedhjeve e cila ishte vendosur brenda Shkollës së Mesme “Shejnaze Juka” të Shkodrës.

E gjithë baza materiale e sjellur nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për përgatitjen e zgjedhjeve të 30 qershorit u dogj, raporton Zëri i Amerikës.

Në mesin e protestuesve ishte edhe ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahija, i cili tha se “ky është vetëm fillimi i revoltës popullore, ndaj atyre që po u imponojnë shqiptarëve votime pa zgjedhje”.

Ministri i Brendshëm Sander Lleshaj tha se kjo është një “përpjekje e turpshme e përfaqësuesve të PD-së për të djegur një shkollë në Shkodër”. Ministri ftoi qytetarët e Shkodrës që të distancohen nga ky “turp i pamasë dhe të izolojnë bijtë e dhunës”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tha se po vazhdon punën për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe paralajmëroi se çdo cenim i këtij procesi përbën vepër penale të ndëshkueshme.

Këtij incidenti i parapriu ai në Bashkinë e Tropojës, kur një grup mbështetësish të opozitës bashkë me zyrtarë vendorë dhe deputetetin e zonës u futën me forcë në mjediset ku është vendosur Komisioni Zonal i Admistrimit të Zgjedhjeve Vendore të 30 qershorit në Bashkinë e Tropojës.

Zgjedhjet lokale në Shqipëri ishin paraparë të mbahet më 30 qershor. Mirëpo, presidenti Ilir Meta shfuqizoi dekretin e datës së zgjedhjeve, duke thënë se kështu po shmangë një përshkallëzim të situatës.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se zgjedhjet do të mbahen në datën e paraparë më 30 qershor.

Shqipëria, që nga janari i vitit 2018 është përfshirë nga protestat e opozitës që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.