Protesta para burgut të Shutkës, kundër transferimit të Shefqet Hallaqit në Prilep

Dhjetëra qytetarë u mblodhën para burgut të Shutkës në mbrojtje të të burgosurit Shefqet Hallaqi nga Grupi i Kumanovës. 

Ata protestuan kundër transferimit të tij në burgun Prilepit, pasi siç thonë të burgosurit shqiptar atje keqtrajtohen. Organizatori i kësaj proteste Blerim Ahmeti, që është vëllai i El Chekës, kërkoi që drejtori i burgut të del jashtë dhe të deklarohet përse po e bënë këtë transferim.

“Të marrin masa që të mos transferohet drejtë burgut të Prilepit, i bëjë thirrje drejtorit të burgut që të dal para mediave dhe të tregojë pse behet ky transferim drejtë Prilepit”, tha Blerim Ahmeti nga Këshilli organizativ.

Pas disa minutave drejtori i burgut Esad Rahiç doli për të biseduar me protestuesit. Ai tha se gjykata vendos së në cilin burg do të vendoset Hallaqi dhe se nuk është e vërtetë se ai do të transferohet në Prilep.

“Unë dje fola me Shek Hallaqin. Informacionin që e keni ju, nuk është vërtetuar, sipas procedurave pozitive ligjore, ai do të marrë vendim për vuajtjen e dënimit në burgun në Idrizovë. Unë kaq e di. Unë e respektoj aktvendimin e gjykatës i cili tregon se ai duhet të transferohet në burgun e Idrizovës. Nëse do të transferohet nga Idrizova në një vend tjetër, kjo nuk është përgjegjësi ime. Unë e di dhe mund t’ju jap fjalë se ai do të shkojë në Idrizovë. Pastaj ku do të shkojë dhe çfarë do të ndodhë, në ndonjë institucion tjetër drejtohuni”, tha Esad Rahiç, drejtor i burgut në Shutkë.

Blerim Ahmeti nuk i beson fjalëve të drejtorit të burgut. Ai tha se nëse ndodh transferimi sërish do të dalin në protesta.

“Drejtori i burgut aspak nuk ishte i qartë dhe vet ai mesa e pash unë nuk ishte i sigurt se a do të transferohet në Prilep apo në Idrizov. Nëse transferohet ne sërish do të jemi këtu, do të kërkojmë nga Komiteti Helsinkut, organizata e të drejtave të njeriut të reagojnë dhe mos lejojnë të keqtrajtohen burgosurit shqiptar”, u shpreh Blerim Ahmeti nga Këshilli organizativ.

Protestuesit thanë se Shek Hallaqi, është në grevë urie dhe se po keqësohet gjendja e tij shëndetësore. Protestuesit u shpërndanë të qetë. Shefqet Hallaqi, është i dënuar me 40 vite heqje lirie nga gjykata e Shkupit. Ai akuzohet për vepër terrorizmi në ngjarjet e Kumanovës të 9 dhe 10 maj të vitit 2015, së bashku me 37 persona të tjerë.