Pompeo viziton Egjiptin, diskuton planet e ShBA-së për Lindjen e Mesme

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka arritur në Kajro për të biseduar me liderë të Egjiptit, teksa është duke zhvilluar një varg vizitash në Lindje të Mesme, duke siguruar kështu aleatët arabë të Uashingtonit se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke u larguar nga rajoni.

Vizita e Pompeos është realizuar në kohën kur veçse ekziston një paqartësi lidhur me planet e presidentit amerikan, Donald Trump për të tërhequr forcat amerikane nga Siria.

Pompeo është takuar me presidentin egjiptian, Abdel-Fattah el-Sissi dhe ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Sameh Shoukry më 10 janar, për të diskutuar bashkëpunimin për siguri dhe atë ekonomik.

Ai po ashtu do të mbajë një fjalim për objektivat e Uashingtonit sa i përket rajonit të Lindjes së Mesme.

Pompeo ka arritur në Egjipt pas ndalesave në Jordani dhe Irak, ku ka synuar t’i sigurojë liderët e këtyre vendeve se një tërheqje nga Siria nuk nënkupton braktisje të luftimit të militantëve të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS) apo ulje të tensioneve me Iranin.

Pas Egjiptit, Pompeo planifikon të vizitojë vendet e Gjirit Arab.