Policia zvicerane paralajmëron gjoba për ata që nuk pastrojnë akullin nga veturat

Policët në kantonin zviceran Zug, kanë paralajmëruar vozitësit që nuk pastrojnë akullin nga veturat, se mund të marrin dënime të rrepta apo edhe ta humbasin patentë shoferin.

Për shkak të temperaturave të ulëta, së fundit Policia në Zug ka lëshuar një kumtesë përmes së cilës njofton se kanë qenë të detyruar që të ndalin shumë vozitës që nuk kanë pastruar akullin nga veturat në mënyrën e duhur, raportojnë mediat zvicerane, përcjell KosovaPress.

Këta vozitës po shihen si rrezik për pjesëtarët e tjerë të komunikacionit, sidomos për këmbësorët dhe biçiklistët, kryesisht për shkak se dukshmëria e tyre është e kufizuar.

Sipas ligjeve zvicerane, dritaret, xhamat e përparmë, dhe dritat duhet të mbahen të pastra. Poashtu numri i targës duhet të jetë gjithmonë i zbuluar, kështuqë akulli dhe bora duhet të pastrohen nga to.