Policia arreston dy persona, kultivonin drogë në Mat

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë dhe një është shpallur në kërkim pasi kultivonin dhe trafikonin lëndë narkotike në Mat.

Mësohet se të ndaluarit janë arrestuar në flagrancë gjatë shkëmbimit të një shume parash, të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Në pranga kanë rënë 32-vjeçari me iniciale R.T dhe 33-vjeçari me iniciale N.T të dy banues në Mat, ndërkohë në kërkim është shpallur 29-vjeçari E.Ll.

Pas 6 muajsh ndjekje ata janë arrestuar në flagrancë në afërsi të shkollës së mesme të Njësisë Administrative Baz në çastin kur po shkëmbenin një sasi lekësh me njëri- tjetrin, e cila mendohet se është përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve.

Gjithashtu dyshohet se të ndaluarit kanë tentuar në disa raste të kultivojnë bimë narkotike në zonat malore të njësive administrative Ulëz dhe Baz, të cilat janë asgjësuar më herët nga blutë.

Mësohet se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 400 euro, 24 100 lekë, 45 gramë lëndë narkotike, 1 orë dore dhe 1 aparat celular.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”