Pjesëmarrja e ulët në fushatën e Trump: Fajësohet protestuesit dhe mediat

Zyrtarët e fushatës për rizgjedhje të presidentit amerikan, Donald Trump, kanë fajësuar protestuesit dhe mediat për pjesëmarrjen e vogël të mbështetësve të tij në një ngjarje të organizuar në Tulsa, Oklahama.

Departamenti i Zjarrit në Tulsa, ka thënë se 6,200 persona kanë qenë pjesë e organizimit më 20 qershor, kanë raportuar mediat amerikane.

Zyrtarë të fushatës në anën tjetër, kanë pritur që do të mbushej objekti me kapacitet prej 19,000 personave.

Ata po ashtu kanë thënë se qindra mijëra persona kanë blerë biletat, duke thënë shenja për entuziazëm të madh të mbështetësve të Trumpit.

Mirëpo edhe ata e kanë pranuar se shifrat kanë qenë nën kapcitetet e objektit.

Njëri prej zyrtarëve është cituar të ketë thënë se 12,000 persona kanë hyrë në objekt.

Ndërkohë, është anuluar një ngjarje në ambiente të jashtme për personat që besohej se nuk mund të hyjnë brenda, pasi askush nuk ka qenë aty.

Drejtori për komunikime i fushatës së Trumpit, Tim Murtaugh, ka thënë se mediat dhe protestuesit “kanë tentuar të frikësojnë mbështetësit e presidentit”.

Një tjetër ndihmës i fushatës, ka thënë se pjesëmarrësve u është pamundësuar hyrja në sallë, për shkak të rrugës së bllokuar nga protestuesit. Mirëpo gazetarët në këtë zonë, kanë thënë se nuk kanë parë probleme të tilla.

Organizimi i Trumpit në Tulsa përbën kthimin e ngjarjeve të tilla prej shpërthimit të koronavirusit në muajin mars.

Trump është kritikuar edhe për fjalimin e tij, që ka zgjatur më shumë se 100 minuta, por që në të nuk ka pasur asgjë që lidhet me pandeminë e koronavirusit, apo tensionet racore në rritje në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump në anën tjetër, nuk ka komentuar këtë ngjarje.