Pipero: Të gjithë mund të prekemi nga koronavirusi, edhe ata që janë marrë me shumë sport

Mjeku Pëllumb Pipero, në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e “Ditari” në A2, deklaroi se koronavirusi mund të prekë këdo, edhe ata persona që janë të rinj dhe që janë marrë me sport.

“Kemi hyrë në javën e tretë dhe duhet të mobilizojmë të gjitha forcat dhe të qëndrojmë në shtëpi, ndërkohë që ne mjekët të përqendrohemi të ndihmojmë njerëzit e shtruar në spital.

Të gjithë mund të sëmuremi. Eksperienca ka treguar se kanë më shumë komplikacione të moshuarit dhe ata që kanë sëmundje kronike, por virusi nuk përjashton as moshat e reja dhe ata që janë marrë me shumë sport. Sa kohë nuk kemi vaksinë, e vetmja garanci për të ndalur vrullin e epidemisë është qëndrimi në shtëpi. Do pak durim dhe gjithçka do të kalojë më lehtë”, theksoi Pipero.

Sipas mjekut, “numri 127 ka staf të trajnuar për të bërë triazhin në distancë”. “Shenjat orientuese janë temperaturë e zgjatur, kolla e thatë dhe vështirësia në frymëmarrje. Ndaj, u kemi thënë të gjithëve se ata që kanë pasur persona të sëmurë në shtëpi, duhet t’i drejtohen 127-s për të marrë asistencën mjekësore. Duhen gjurmuar edhe kontaktet e kontakteve për të ndërprerë zinxhirin epidemiologjik”, deklaroi Pipero.

Përsa i përket shtimit të testimeve, Pipero tha: “Duhet të kemi më shumë testime, por testime për identifikim, për të gjurmuar rastet e kontaktit. Këtë kam këshilluar dhe këtë kërkoj. ISHP-ja ka gjurmuar 60-70% të rastit të kontaktit dhe kjo, sipas OBSH-së, konsiderohet optimale”.