Pesë shtete të BE-së pranojnë strehimin e imigrantëve të ngecur në det

Spanja dhe katër shtete të tjera të Bashkimit Evropian janë pajtuar që t’i pranojnë në territorin e tyre imigrantët që kishin ngecur në det në anijen “Open Arms” pas refuzimit të Italisë për ta lejuar ndaljen e anijes në portin e Lampedusa-s.

Rreth 100 imigrantët e ndodhur në ujërat e Detit Mesdhe që nga fillimi i muajit gusht ishin të detyruar të qëndrojnë në anije deri në kohën kur një prokuror Italian dha urdhër për sekuestrimin e anijes dhe evakuimin e imigrantëve.

Ata shkelën në ishullin italian të Lampedusa-s të martën në mbrëmje, ndërsa një zëdhënëse e Komisionit Evropian tha se Spanja, Franca, Gjermania, Luksemburgu dhe Portugalia janë pajtuar që t’i strehojnë ata.

Qeveria italiane më parë kishte refuzuar që ta lejojë futjen e anijes në portet e saj. Organizata që e menaxhon anijen tha se imigrantët janë të lodhur dhe kanë nevojë urgjente për strehim. Disa prej tyre kishin kërcyer nga anija në përpjekje për të notuar drejt bregdetit.

Ministri i brendshëm italian, Matteo Salvini, ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj hyrjes së imigrantëve, duke thënë se vendi i tij ka marrë shumë përgjegjësi për trajtimin e imigrantëve afrikanë në Evropë, shkruan “Reuters