Pas dhunës e përplasjeve, IKMT vazhdon ‘punën’ në Astir: Kemi prishur 24 nga 33 objektet

Inspektoriati Kombëtar i Mbrotjes së Territorit ka dalë me një njoftim të shkurtër mbi punën e kryer deri më tani në zonën e Astirit, duke vënë në dukje se janë prishur rreth 24 nga 33 objektet e planifikuara për t’u rrëzuar.

“Prej mëngjesit te sotëm IKMT ka nisur prishjen e 33 objekteve ne zonën e “Astir”. Deri në këto momente janë prishur 24 objekte, prej të cilave 8 objekte 2 katëshe, 4 tre katëshe dhe 12 nje katëshe. Objektet e tjera janë ne proces dhe do te prishen të gjitha brënda ditës së sotme.”-njofton IKMT.

Kujtojmë se këtë të martë në orët e para të mëngjesit ka patur përplasje të forta mes policisë dhe banorëve të Astirit, të cilët protestojnë prej një viti në mbrojtje të banesave dhe bizneseve të tyre. Si pasojë e përleshjeve, të paktën 8 banorë përfunduan në spital, së bashku me 4 efektivë policie.

Në këtë zonë do të kalojë Unaza e Madhe e Tiranës, një projekt i cili është përshkruar nga hije të forta dyshimi si dhe skandali i kompanisë fantazëm DH Albania, e cila fitoi në mënyrë misterioze lotin e parë të rrugës në vlerën 18 mln euro.