Obama tërheq fjalët, SHBA nuk e quan ‘gjenocid’ vrasjen e armenëve

Presidenti amerikan, Barack Obama, nuk do ta përdorë termin “gjenocid” për të përshkruar masakrën e mbi një milion armenëve në kohën e Perandorisë Osmane, gjatë shënimit të 100 vjetorit të kësaj tragjedie, të premten.

Përmes një komunikate, Shtëpia e Bardhë ka thënë se shefi i stafit të presidentit, Denis McDonough, dhe zëvendëskëshilltari i sigurisë, Ben Rhodes, janë takuar me grupet e armeno- amerikanëve, me të cilët kanë diskutuar për rëndësinë e nderimit të viktimave të masakrës, dhe të cilët i kanë njoftuar për vendimin për mospërdorimin e termit “gjenocid”.

Mospërdorimi i termit “gjenocid” ka zemëruar armenët e Amerikës, të cilët janë shprehur tejet të zhgënjyer nga presidenti amerikan, i cili gjatë kohës sa garonte për t’u bërë president më 2008, kishte premtuar se si president do ta njihte ‘gjenocidin armen’.

Vrasja dhe dëbimi i mbi një milion armenëve nga Perandoria Osmane në vitin 1915 nga shumë historianë dhe disa shtete konsiderohet si gjenocid, por Turqia mohon të ketë ndodhur diçka e tillë.