Një person i vdekur nga tërmeti i fuqishëm në Pakistan

Një tërmet me fuqi prej 5.8 shkallësh të Rihterit e ka goditur kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, dhe disa qytete të tjera në pjesën lindore të këtij shteti. Deri tash raportohet për së paku një person të vdekur dhe 50 të lënduar.

Epiqendra e tërmetit ishte afër qytetit malor të Jehlumit në provincën Punjab, ndërsa dridhjet janë ndier edhe në rajone të tjera. Lajmin e bëri të ditur Departamenti i Meteorologjisë në Pakistan.

Dëshmitarët thanë se tërmeti i ka dridhur muret e shtëpive dhe i ka detyruar njerëzit të dalin në rrugë.

Mediet pakistaneze raportuan se një grua ka vdekur dhe dhjetëra persona të tjerë kanë pësuar lëndime të ndryshme.

Përpos Islamabadit, tërmeti është ndier edhe në Swat, Banaur, Sialkot, Jhelum dhe në qytete të tjera, shkruan “Free Europe”