Një peng kroat nën kërcënim jete

Një grup që pretendon të jetë pjesë e Shtetit Islamik ka publikuar një video ku kërcënon se do t’i presë kokën një pengu kroat, nëse qeveria e Egjiptit nuk liron nga burgu gratë myslimane.

Videoja, që paraqet një burrë me veshjen karakteristike ngjyrë portokalli, të gjunjëzuar para një militanti me maskë, me thikë në dorë, mendohet të ketë ardhur nga dega e Shtetit Islamik në Egjipt, Provinca Sinai e Shtetit Islamik.

Burri i marrë peng lexon me zë të lartë në anglisht një letër dhe e identifikon veten si Tomislav Salopek, 30-vjeçar dhe baba i dy fëmijëve. Ai thotë se Shteti Islamik e ka kapur më 22 korrik.

Ai thotë se do ta vrasin, në se autoritetet egjiptiane nuk i plotësojnë kërkesat e grupit brenda 48 orëve, megjithëse nuk është e qartë se kë do grupi që të lirohet nga burgu.

Ministria e Jashtme e Kroacisë konfirmoi se një shtetas kroat është marrë peng muajin e kaluar në Kajro, gjatë rrugës për në punë. Televizioni shtetëror i Kroacisë tha dje se qeveria është duke bërë gjithshka të mundur për ta zgjidhur me shpejtësi situatën e vështirë.

Salopek tha se punonte për kompaninë franceze të gazit dhe naftës CGG Ardiseis, e cila ka një zyrë në Kairo.