Nis faza e fundit për ndërrimin e emrit të Maqedonisë

Shumica prej dy të tretash për amendamentet kushtetuese mbetet e pasigurt para fillimit të sotëm të seancës plenare në Kuvendin e Maqedonisë në të cilën me votimin e tyre duhet të përmbyllet zbatimi i Marrëveshjes së Prespës.

Prej partive opozitare shqiptare BESA e Kasamit dje në konferencë shtypi në Kuvend konfirmoi se vazhdojnë me bisedimet lidhur me kërkesat e tyre, me të cilat e kushtëzojnë mbështetjen prej dy deputetëve të tyre për ndryshimet kushtetuese.

Në pyetjen se a do t’i mbështesin propozim amendamentet e Qeverisë nëse nuk pranohen propozimet e tyre, deputeti i BESËS, Fadil Zendeli, tha se do të shohin gjatë debatit, për atë se si zhvillohet e gjithë procedura.

“Kjo është pyetje e debatit. Nuk mund të prejudikoj, të lëmë hapësirë në debatin e nesërm dhe në ditët në vijim, se si do të reflektojë shumica dhe Qeveria. Ne pastaj do të dalim me qëndrim adekuat”, tha Zendeli duke theksuar se kërkesat e tyre janë thelbësore, ndërsa nuk janë dorëzuar në pro formë dhe se fuqishëm qëndrojnë në ato kërkesa.

Kryeministri Zoran Zaev në takimin e djeshëm me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela deklaroi se e ka pranuar propozimin e Selës lidhur me pjesën e preambulës “qytetarët që jetojnë në kufijtë”, duke potencuar se formulimi i fundit do të jetë “qytetarët e Maqedonisë, populli maqedonas dhe një pjesë e popullit shqiptar, një pjesë e popullit turk, një pjesë e popullit vlleh…”.

Zaev tha se në takim është konfirmuar se Aleanca për Shqiptarët do të japë mbështetje për amendamentet kushtetuese dhe procesin kushtetues në Kuvend, duke shprehur bindje se e njëjta do të ndodh edhe prej BESËS.

Sela pas takimit tha se është arritur marrëveshje me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev sa i përket kërkesave të Aleancës për Shqiptarët në lidhje me kërkesat e ASH-së.

“Jemi krenarë si Aleancë për Shqiptarët që me kontributin tonë kemi bërë të paktën që fjalia e parë e Kushtetutës, Preambula, të heq padrejtësinë e definimit të gjërave në formën e dy kategorive të qytetarëve”, tha Sela duke shtuar se në Preambulë është hequr pjesa “që jetojnë” ndërsa sot është arritur marrëveshja të hiqet fjalia “si dhe qytetarët që jetojnë në shtet”.

Sipas Selës, kjo i bën të gjithë qytetarët të ndihen më të barabartë dhe gjithsecili e sheh veten më të përfaqësuar në Kushtetutë.

Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dje para takimit të Komitetit punues për eurointegrime në pyetjen e gazetarëve për të komentuar kërkesat e BESËS dhe Aleancës për Shqiptarët lidhur me ndryshimet kushtetuese theksoi se ai nuk konsideron që partitë politike shqiptare janë pjesë e atyre faktorëve që dëshirojnë ta shkatërrojnë procesin, por përmendi se shërbimi më i keq që për momentin do t’u bëhej shqiptarëve është të jepet porosi se ata e frenojnë anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO.

“Nuk ka interes më të rëndësishëm etnik për shqiptarët se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO. Ai është interes më i madh dhe më thelbësor i shqiptarëve mbi çdo interes tjetër etnik për momentin, sepse ai është garanci se shqiptarët do të jenë pjesë e familjes evropiano-perëndimore të vlerave, pjesë e të cilës me gjenerata synojnë të jenë”, tha Osmani.

Akuzat e tilla se janë frenues të integrimit të vendit në NATO i hodhën poshtë edhe BESA edhe Aleanca. Sipas Zendelit, ata e mbështesin procedurën iniciale për ndryshime kushtetuese, por gjatë procesit janë ndryshuar, thotë, rregullat e lojës, janë shtuar çështje të reja të cilat i konsiderojnë të kontestueshme, prandaj “përgjegjësi duhet të ndërmarrin ata që i ndryshojnë rregullat e lojës”.

Për Selën, të vërtetit të cilët e problematizuan dhe në një mënyrë udhëhoqën këtë proces që të zvarritet është pikërisht Osmani, i cili ishte ministër edhe në Qeverinë e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Kryeministri Zaev shfaqi optimizëm se megjithatë do t’ia dalë ta sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvendin e Maqedonisë para votimit përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës. Thotë, mbështetja me numër të deputetëve do të dihet gjatë votimit.

“Dy partitë opozitare të bllokut shqiptar deri më tani ishin konstruktive lidhur me procesin e ndryshimeve kushtetuese. Një pjesë e sugjerimeve të tyre janë vendosur. Të gjitha partitë politike fuqishëm e mbështesim procesin e eurointegrimeve, por me ta do të bisedojmë edhe për ato çështje për të cilat kanë rezerva”, porositi shefi i Qeverisë.

Kërkesat kryesore të BESËS janë që të saktësohet se shteti nuk është monoetnik, siç implikon pjesa “shtetësi maqedonase” si edhe në pjesën e diasporës. Nga Aleanca kërkojnë gjuha shqipe dhe shkrimi i saj të përdoren në gjithë territorin e vendit, dhe pas fjalëve “e pavarur, sovrane” të shtohet fjala “multietnik”, ndërsa fjalët “populli maqedonas” të zëvendësohen me “qytetarë”, që të theksohet karakteri multietnik i shtetit.

Në ndërkohë, tetë deputetët e Grupit të pavarur të VMRO-DPMNE-së paralajmëruan se nuk do t’i japin mbështetje shumicës në pushtet dhe nuk do ta japin votën “Për” ndryshime kushtetuese nëse Qeveria vendos ta pranojë kërkesën e BESË-s, termi “maqedonas” të fshihet prej dokumenteve, pasi vlerësojnë se është në kundërshtim me garancitë për përforcimin e identitetit.

VMRO-DPMNE në opozitë, e cila edhe më tej nuk do të marrë pjesë në debatin për amendamentet, u kanos se edhe më tej do të përjashtojë deputetë prej radhëve të veta partiake nëse pozitivisht prononcohen në seancën kuvendore për ndryshimet kushtetuese. Kjo u paralajmëruar prej nënkryetarit Aleksandar Nikollovski. Komiteti Qendror i partisë tashmë i përjashtoi shtatë deputetë të vet pas votimit për hapjen e ndryshimeve kushtetuese pasi u mundësua shumicë prej dy të tretash prej saktë 80 vota “për”, por edhe disa anëtarë të partisë të cilët u prononcuan kundër qëndrimit të partisë për mospranimin e ndryshimeve të Kushtetutës.

Për tekstin e propozim-amendamenteve të Kushtetutës, të cilat sot duhet të jenë në seancë plenare, propozuesi, çdo deputet. trupi i punës dhe Qeveria kur nuk është propozues, kanë mundur të shtrojnë amendamente më së voni tetë ditë para seancës në Kuvend në të cilën do të miratohen amendamentet e Kushtetutës. Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në afatin ligjor kanë mbërritur 10 amendamente për propozim-amendamentet e Kushtetutës edhe atë gjashtë prej Aleancës së Shqiptarëve, tre prej BESË-s dhe një prej Grupit të Pavarur të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit. Të pavarurit me amendamentin e dorëzuar propozojnë në amendamentin 33 neni 1 nën paragrafin 2 të shtohet paragraf i ri 3 me të cilin emri Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë vetëm për përdorim ndërkombëtar. Janë dorëzuar edhe dy amendamente të Ligjit për zbatimin e Kushtetutës, nga një nga BESA dhe nga LSDM.

Për sjelljen e amendamenteve kushtetuese është e nevojshme të votojnë të paktën 80 deputetë.

Më 19 tetor Kuvendi me mbështetjen e 80-të votave dhe 39 kundër, e filloi procedurën për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese. Shumica prej dy të tretash u sigurua me tetë votat e deputetëve të VMRO-DPMNE-së në opozitë, një pjesë e tyre të akuzuar në rastet e PPS-së dhe për ngjarjet e 27-të prillit