Netanyahu përshëndet mbështetjen e SHBA-së për vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor – e quan ‘një arritje e madhe’

Kryeministri i Izraelit udhëtoi sot në Bregun Perëndimor për të festuar njoftimin e SHBA-së se nuk i konsideron vendbanimet izraelite si shkelje të ligjit ndërkombëtar. 

Benjamin Netanyahu e quajti deklaratën e administratës Trump, një ‘arritje të madhe’ që ‘korrigjoi një gabim historik’.

“Mendoj se është një ditë e shkëlqyer për shtetin e Izraelit dhe një arritje që do të kujtohet për dekada”, tha ai.

Udhëheqësit e krahut të djathtë izraelitë përshëndetën njoftimin e sekretarit të shtetit amerikan Mike Pompeo, ku të hënën tha se administrata aktuale nuk do t’i konsideronte më vendbanimet civile në territoret e okupuara si një shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Palestinezët, të cilët pretendojnë Bregun Perëndimor si pjesë të një shteti të ardhshëm, e dënuan vendimin.

Palestinezët dhe bashkësia ndërkombëtare thonë se vendbanimet janë të paligjshme dhe parandalojnë krijimin e një shteti palestinez.

Shtëpia e Bardhë thotë se ka hartuar një plan të paqes në Lindjen e Mesme, por ende nuk e ka zbuluar atë.

Palestinezët tashmë e kanë hedhur poshtë planin, duke akuzuar SHBA-në për njëanshmëri të padrejtë në favor të Izraelit.