Në Ambasadën gjermane hapet libri i zisë për Klaus Kinkel

Sot në Ambasadën gjermane në Prishtinë nga ora 14:00 deri 16:00 dhe nesër nga ora 8:00-12:00 do të hapet libri i zisë në të cilin mund të nënshkruhen të gjithë të interesuarit.

Ish-ministri Federal i Punëve të Jashtme, Klaus Kinkel, vdiq më 4 mars në moshën 82-vjeçare.

Nga viti 1992 deri në vitin 1998, Kinkel ishte ministër Federal i Punëve të Jashtme, mes viteve 1993 dhe 1998 edhe zëvendëskancelar dhe nga viti 1993 deri në vitin 1995 kryesoi Partinë Liberale Demokratike (FDP).

Gjatë mandatit të tij si ministër i Jashtëm, Kinkel ka dhënë një kontribut shumë të madh që Gjermania e ribashkuar të zë vendin e saj në botë dhe të jetojë në paqe dhe respekt me fqinjët e saj.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha dje në Berlin, se Kinkel  ka lënë gjurmë në politikën e jashtme gjermane në kohëra ndryshimesh rrënjësore në mbarë botën, në të cilat Gjermania e ribashkuar dhe sovrane u përball me sfida të mëdha.