Ministri Zenka: Shqiptarët e Malit të Zi, të gëzuar për fitoren e Gjukanoviq

Ministri për të Drejta dhe Pakica në Qeverinë e Malit të Zi nga Forca ‘Shqiptarët e vendosur’ dhe kryetar i Unionit shqiptar, Mehmet Zenka, ka falënderuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe Tiranën zyrtare për sugjerimet dhe thirrjet drejtuar shqiptarëve me të drejtë vote në Mal të Zi, për ta mbështetur kandidaturën e Millo Gjukanoviq.

Zenka tha për Radio Dukagjinin se thirrjet e kryeministrit Haradinaj, apeli i Tiranës zyrtare dhe dëgjueshmëria e elektoratit shqiptar, e ndaluan frymën ruse në Mal të Zi.

“Dha rezultat thirrja e hapur kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, gjithashtu dha rezultat edhe thirrja e politikës zyrtare të Tiranës dhe normalisht edhe shqiptarët ditën që t’i përgjigjen konform këtyre sugjerimeve, duke i fal votat e veta kandidatit Gjukanoviq. Jemi të gëzuar se me këtë rezultat i kemi larguar rreziqet që do të ishin të paparashikueshme nga fryma ruse nëse do të ndodhte rrethi i dytë. Një falënderim shumë i madh i shqiptarëve të Kosovës e veçanërisht të Pejës, me të drejtë vote në Mal të Zi të cilët e bënë detyrën”, tha Zenka.

Kandidati i DPS Millo Gjukanoviq shënoi sot fitore në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, të tretat këto radhazi pas shpalljes së pavarësisë së këtij vendi.

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi është përgëzuar nga krerët shtetërorë të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.