Meta anulon zgjedhjet, PS kërkon shkarkimin e tij

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka nënshkruar zyrtarisht shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve lokale që ishin caktuar të mbahen më datën 30 qershor.

Duke cituar Kushtetutën e Shqipërisë, Meta tha se “presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zgjedhjeve dhe për zhvillimin e referendumeve”.

“Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zhvillimit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, për organet e pushtetit vendor si dhe për zhvillimin e referendumeve. Konkretisht në këtë dispozitë të saj, Kushtetuta përcakton datën e zgjedhjeve. Sipas Kushtetutës, pa pasur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo zgjedhjet e organeve vendore nuk mund të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë”, tha Meta.

Presidenti tha se data e zgjedhjeve nuk mund të shndërrohet në ditë përçarëse, por ajo duhet të jetë ditë e bashkimit të qytetarëve ku vendosin përfaqësuesit e tyre me votë.

Ai, duke ju referuar bojkotimit të zgjedhjeve nga ana e opozitës dhe djegies së mandateve të tyre në Kuvend, shtoi se jeta politike parlamentare në Shqipërisë ka pësuar një krizë përfaqësimi.

“Ekziston rreziku real që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm që mund të shkaktojë pasoja të paparashikueshme. Është rrezik për paqen në vend. Zhvillimi i zgjedhjeve pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës cenon disa parime kushtetuese”, tha Meta.

Shfuqizimi i dekretit nga ana e presidentit nënkupton shtyrjen e zgjedhjeve për një datë tjetër. Sipas tij, anulimi i zgjedhjeve është mjeti i vetëm emergjent për gjetjen e një zgjidhjeje dhe nxitje për dialog mes partive politike në vend.

Partia Socialiste ka mbledhur kryesinë e saj, ku është vendosur që ditën e enjte, në Kuvendin e Shqipërisë, do të iniciojnë procedurën parlamentare për shkarkimin e presidentit, duke e quajtur “brutal” vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve.

“Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur që të enjten në Kuvend të zhvillojë një debat të gjatë parlamentar duke shtjelluar të gjithë argumentat se si Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës dhe në asnjë Kushtetutë dhe aq më pak këtu, të quajtur ‘çdekretim’”, tha Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit, Elisa Spiropali.

Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përmes rrjeteve sociale ka thënë se vendimi i presidentit për anulim të mbajtjes së zgjedhjeve lokale vjen si rezultat se “në Shqipëri sundon një qeveri e zgjedhur nga mafia dhe jo nga populli”.

“Vendimi për anulimin e 30 qershorit u diktua nga bashkimi më i madh shqiptarëve për të mos pranuar kurrë më një proces monist dhe kriminal të bandës që sot ka vjedhur pushtetin dhe për të mbrojtur standardet dhe vlerat evropiane”, shkruan Basha.

Vendimi i presidentit vjen pasi vendi ndodhet në krizë të thellë politike.

Partia Socialiste, e cila udhëheq vendin pa koalicion, me shumicë të ulëseve në Parlament synon të shkojë e vetme në zgjedhje, ndërsa partitë opozitare dhe aleatët e tyre të djathtë kanë bojkotuar pjesëmarrjen dhe kanë thënë se do të pamundësojnë mbajtjen e tyre.

Vlefshmëria kushtetuese e një vendimi të tillë nuk mund të interpretohet, meqë Gjykata Kushtetuese në Shqipëri është jashtë funksionit dhe e mbyllur përkohësisht, pasi nga nëntë anëtarët e saj, tre janë dorëhequr ose kanë mbaruar mandatet, katër janë rrëzuar në procesin e vetingut dhe vetëm dy kanë mbijetuar.