Merr zyrtarisht detyrën gruaja e miliarderit, kush është ambasadorja e re amerikane në OKB

Ambasadorja e re amerikane në Organizatën e Kombeve të Bashkuara filloi detyrën të enjten. Kelly Knight Craft nuk do të ketë shumë kohë për t’u ambientuar, pasi ajo arrin pak më shumë se një javë para mbledhjes vjetore të udhëheqësve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në OKB, Margaret Besheer sjellë hollësitë.

Ambasadorja Craft ia dorëzoi letrat kredenciale Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres dhe më pas shkoi në Këshillin e Sigurimit.

Ajo u prit ngrohtësisht nga kolegët e saj të rinj dhe më pas votoi duke mbështetur tre rezoluta.

Më vonë ajo u tha gazetarëve se nuk është vetëm e dërguara e Presidentit Trump në OKB, por edhe një zë për angazhimin e Amerikës për lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

“Në një botë të përfshirë nga kriza humanitare, sfidat gjeopolitike, udhëheqja e fortë amerikane është absolutisht kritike dhe unë synoj ta siguroj atë. Unë do të mbroj vlerat dhe interesat e Amerikës. Do të qëndroj pranë miqve dhe aleatëve tanë. Do të mbështes të varfërit dhe të pambrojturit. Dhe kurrë nuk do të ngurroj të punoj me ata që vërtet dëshirojnë të çojnë përpara kauzën e dinjitetit njerëzor.”

Craft, ish-biznesmene nga Kentucky, dhe burri i saj, Joe, ekzekutiv miliarder i industrisë së qymyrit, janë të mirënjohur në qarqet republikane si donatorë të mëdhenj. Ata kontribuan 1 milion dollarë në garën presidenciale të Presidentit Trump në vitin 2016.

Presidenti Trump e emëroi atë në postin e ambasadores amerikane në Kanada dy vjet më parë. Mandati i saj u dominua nga negociatat për arritjen e marrëveshjes së re tregtare SHBA-Kanada-Meksikë.

Ambasadorja Craft u konfirmua për postin e saj në OKB më 31 korrik, me një shumicë të thjeshtë në senatin amerikan, ku disa demokratë u ankuan se ajo nuk kishte përvojë të mjaftueshme në politikën e jashtme.

“Zonja Ambasadore më lejoni të jem e sinqertë, kam rezerva të thella në lidhje me mungesën e kualifikimeve tuaja për një rol kaq kompleks dhe sfidues. Historikisht, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara në OKB kanë sjellë përvojë të rëndësishme ekzekutive ose përvojë të drejtpërdrejtë pune në politikën e jashtme”, that senatori demokrat Bob Mendez.

Mungesat e saj të mëdha nga ambasada në Kanada, më shumë se gjysma e 608 ditëve në punë, gjithashtu ishin temë shqyrtimi.

Zonja Craft ka pak më shumë se një javë kohë para se udhëheqësit botërorë, përfshirë shefin e saj, të arrijnë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Analisti i çështjeve të OKB-së, Richard Gowan thotë se ambasadorja Craft do të luajë vetëm një rol në prapaskenë gjatë mbledhjes vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Detyra e saj është të sigurojë që udhëtimi i presidentit në Nju Jork të shkojë mirë. Ajo nuk do të bëjë vetë diplomaci thelbësore. Mendoj se zonja Craft do të jetë në gjendje të ketë një ndikim personal në Nju Jork pas mbarimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe mund të shpenzojë pak më shumë kohë në ndërtimin e marrëdhënieve me anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe fuqitë e rëndësishme të përfaqësuara në OKB”.

Një nga temat e mëdha në takimin e këtij viti do të jetë ndryshimi i klimës.

Familja e zonjës Craft ka lidhje me industrinë e qymyrit dhe ajo dikur i tha një intervistuesi kanadez se ajo u beson “të dyja grupeve” në debatin për klimën.

Ambasadorja Craft zëvendëson ish ambasadoren Nikki Haley, e cila u largua nga posti nëntë muaj më parë.

Niki Haley kishte statusin e anëtares së kabinetit, që zonja Craft nuk do ta ketë, dhe kultivoi një profil të lartë politik.

Analistët thonë se zonja Craft ka të ngjarë të ketë një rol më të kufizuar në përcaktimin e objektivave të politikës së jashtme.