“Më kapi nga flokët dhe ma përplasi kokën në tokë”, 12-vjeçari shqiptar dhunohet nga babai grek i shokut të klasës

Një 12-vjeçar shqiptar është dhunuar nga shoku i klasës dhe babai i këtij të fundit, ndërsa në vend janë rikthyer akuzat për sulme me përmbajtje raciste.

Ngjarja ndodhi në Peristeri, ndërsa mediat greke kanë publikuar edhe videon e momentit.

Nxënësi shqiptar ka treguar se kishte pasur edhe zënka të tjera me shokun e klasës, ndërsa për ngjarjen e fundit, ai tregon se bashkëmoshatari e kishte ofenduar dhe mallkuar dhe se ai i ishte përgjigjur në të njëjtën mënyrë.

Unë po ecja me biçikletë, pastaj erdhi shoku i klasës dhe filloi të më ofendonte e mallkonte për vendin tim, dhe unë bëra të njëjtën gjë. Ai më goditi më pas dhe pastaj erdhi dhe babi i tij dhe më goditi. Më kapi nga flokët dhe ma përplasi kokën në tokë”, ka treguar ai.

Pas sulmit i mituri shqiptar u dërgua në Spitalin e Fëmijëve, ku u zbulua se vuante nga një frakturë në qafë.

Prindërit e fëmijës shqiptar shprehen se po mendojnë që të ndërrojnë shkollën e djalit të tyre, pikërisht për shkak të sulmeve të vazhdueshme që ata po ndeshin, ndërsa theksuan se do t’i drejtohen edhe gjykatës për problemin në fjalë.