Kongresi në SHBA miraton projektligj për reformën në polici të destinuar të dështoj në Senat

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara miratoi një projektligj për reformën në polici, por ai ka pak gjasa të bëhet ligj, për shkak të ndarjeve të thella. Dhoma e kontrolluar nga demokratët e votoi masën me 236 vota për dhe 181 kundër.

Projektligji është emëruar sipas George Floydit, afrikano-amerikanit që ka vdekur muajin e kaluar gjatë arrestimit nga policia. Vdekja e tij ka shkaktuar protesta kundër racizmit në gjithë botën.

Por, presidenti amerikan, Donald Trump, i cili vjen nga Partia Republikane, ka paralajmëruar se do të vendosë veto mbi ligjin. Ndërsa, republikanët në Senat janë duke hartuar ligjin e tyre për reformimin e policisë.

Floyd ka vdekur më 25 maj në qytetin Minneapolis. Incidenti është filmuar nga kalimtarët dhe është shpërndarë në mediat sociale. Në incizime shihet se si një polic i bardhë e shtyp me gju Floydin, për gati nëntë minuta. Pak më vonë, ai vdes.

Floyd është ndaluar nën dyshimet se ka krijuar një faturë të rreme në vlerë prej 20 dollarësh.