Kolumbi, qeveria rinis bombardimet ndaj bazave të FARK

Kolumbia ka shfuqizuar vendimin që ndalonte fushatën e bombardimeve ndaj rebelëve të FARK, pas vrasjes së 10 ushtarëve në një përleshje të armatosur me guerrilasit e grupit të majtë.

Ushtria ndërmori një aksion kundër asaj që e quajnë “pozicioni strategjik i rebelëve të FARK” gjatë së mërkurës, bëri të ditur një burim ushtarak për BBC.

Qeveria kolumbiane kishte miratuar në muajin mars një vendim që parashikonte ndërprerjen e përkohshme të sulmeve ajrore.

“Kam urdhëruar forcat e armatosura që ta heqin kufizimin e sulmeve ajrore ndaj bazave të FARK deri në një urdhër të dytë”, deklaroi të mërkurën presidenti Juan Manuel Santos.

Qeveria saktësoi gjithashtu se 17 ushtarë të tjerë kishin mbetur të plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit në provincën perëndimore Sausa, një bastion i rebelëve të majtë.

Të dyja palët që prej vitit 2012 janë përfshirë në një seri negociatash për paqen në Havana të Kubës.

Forcat e Armatosura Revolucionare Kolumbiane kishin shpallur armëpushim të njëanshëm dhjetorin e kaluar dhe reagimi i armatosur i tyre konsiderohet nga analistët si shkelja më e rëndë e tij.

Grupi, më i madhi mes fraksioneve rebele të Kolumbisë, u themelua në vitin 1964 me synim instalimin e një regjimi marksist.

Ende nuk dihet se si incidenti i fundit do të ndikojë tek bisedimet për paqen në Havana, pasi shumë mendojnë se FARK është një fraksion të cilit nuk i zihet besë, ka raportuar korrespondenti i BBC Arturo Wallace.