Kina po e shqyrton ndalimin e hyrjes për diplomatët amerikanë

Diplomatëve amerikanë së shpejti mund t’u ndalohet hyrja në rajonin Xinjiang të Kinës, ku besohet se mbi një milion ujgurë dhe pakica të tjera myslimane po mbahen të mbyllur në kampe internimi.

Hu Xinjin, redaktori i gazetës shtetërore “Global Times”, tha se Pekini është duke e shqyrtuar ndalimin e hyrjes në Xinjiang për personat që janë të pajisur me pasaportë diplomatike amerikane në shenjë hakmarrjeje ndaj miratimit të legjislacionit amerikan për dënimin e zyrtarëve kinezë në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut.

Xinjin, i cili nuk tregoi se nga i ka marrë këto informata, tha se Kina gjithashtu po e shqyrton mundësinë e vendosjes së regjimit të vizave për zyrtarët dhe ligjvënësit amerikanë për shkak të reagimeve të tyre në lidhje me trajtimin e pakicave në rajonin veriperëndimor të Kinës.

Zbulimi i dokumenteve të klasifikuara, në të cilat tregohen hollësi për funksionimin e kampeve të ndalimit në Xinjiang, e ka shtuar presionin ndaj Pekinit. Ligjvënësit amerikanë janë duke e përgatitur një ligj për sanksionimin e zyrtarëve kinezë dhe ndërprerjen e eksportit të mallrave dhe shërbimeve amerikane për organizatat qeveritare në Xinjiang.

Kritikat e Shteteve të Bashkuara për politikat e Kinës ndaj komuniteteve pakicë dhe protestat në Hong Kong vetëm sa i kanë rënduar marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara mes dy fuqive botërore, shkruan “The Guardian”.