Kina hap një ndër aeroportet më të mëdha në botë, i kushtoi 11 miliardë dollarë

Kina e ka hapur të mërkurën një ndër aeroportet më të mëdha në botë, disa ditë para festimit të 70-vjetorit të pavarësisë.

Aeroporti Ndërkombëtar “Daxing” në Pekin u hap në mënyrë zyrtare nga presidenti i Kinës, Xi Jinping. Ky aeroport shtrihet në një sipërfaqe prej 700 mijë metrash katrorë, e cila është e barabartë me 98 fusha futbolli.

Aeroporti i vjetër i Pekinit është aeroporti i dytë më i ngarkuar në botë pas aeroportit të Atlanta-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyrtarët thanë se ekzistonte nevoja për ndërtimin e një aeroporti të ri, si ky që u përurua sot, për shkak se aeroporti i vjetër ishte i stërngarkuar me udhëtarë dhe fluturime.

Pjesa e brendshme e aeroportit të ri

Aeroporti i ri thuhet se është më i madhi në botë si ndërtesë e vetme. Pritet që deri në vitin 2025 nëpër këtë aeroport të kalojnë 170 milionë udhëtarë.

Ky aeroport është dizajnuar nga arkitektja e famshme, tashmë e ndjerë, Zaha Hadid.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Kinë, shtatë kompani vendore do t’i nisin fluturimet të mërkurën nga ky aeroport.

Në pistën e aeroportit të ri do të lëshohen menjëherë edhe aeroplanët e kompanive të huaja, përfshirë kompaninë “British Airways”, shkruan “BBC”.