Jeta pas pandemisë, a do të jetë përdorimi i maskës pjesë e normalitetit të ri?

Përdorimi i maskës për të parandaluar përhapjen e Covid-19 është normaliteti i ri për shumë qytetarë në mbarë botën.

Por a është ky një zakon që mund të vazhdojë edhe pas pandemisë?

“Pres që disi të bëhet një efekt që mund të zgjasë si puna e një vesi, përdorimi i maskës kur del nga shtëpia. Por, ndoshta me zbehjen e pandemisë, do të zhduken edhe këto zakone”, thotë Dr. Barun Mathema, profesor i epidemiologjisë në Universitetin Kolumbia në Nju Jork.

Pandemitë në të kaluarën kanë ndryshuar edhe prirjet e shoqërisë.

Në të ardhmen, kryesisht gjatë sezonit të gripit, njerëzit nuk do të shtrëngojnë duart dhe do të përshëndeten nga larg. Mendoj se do të ketë një ndryshim kulturor me shtrëngimin e duarve. Në përgjithësi, amerikanët mund të bëhen më pak sentimentalë kur të takohen me njëri-tjetrin”, thotë Dr. Aaron Glatt, zëdhënës i Shoqatës së Sëmundjeve Infektive të Amerikës.

Mes prirjeve të tjera që mund të vazhdojnë është edhe pritshmëria e një niveli më të lartë të pastërtisë.

“Kur përjeton diçka të tillë si kjo pandemi, pavarësisht ndjenjave politike, është një situatë e frikshme dhe e paparashikueshme. Mendoj se disa prirje që kemi fituar, si vesi i higjienës, ka të ngjarë të vazhdojnë deri diku. Disa nga këto zakone të përvetësuara si larja e shpeshtë e duarve, përfshirë përdorimi i maskave, dezinfektimi i sipërfaqeve, pra disa nga këto prirje do të vazhdojnë”, thotë Dr. Barun Mathema me Universitetin Kolumbia.

Kjo mund të jenë ana pozitive e pandemisë.

“Mendoj se është rritur ndërgjegjësimi se si mund të përhapen disa sëmundje. Njerëzit nuk do ta pranojnë papastërtinë, ose higjienën e dobët, madje tani ata pastrojnë edhe gjërat që në të kaluarën nuk u ka shkuar mendja. Ata mund të jenë më të kujdesshëm për të larë duart”, thotë zoti Glatt.

Është ulur nënshkrimi i faturave, restorantet kanë hequr menutë prej letre ndërsa kompanitë ajrore kanë vënë standarde të reja të pastrimit dhe filtrimit të ajrit.

Një tjetër ndikim afatgjatë nga pandemia mund të jetë që më shumë njerëz të qëndrojnë në shtëpi kur janë të sëmurë.

Ana pozitive e një bote pas pandemisë është se qëndrimi në shtëpi mund të konsiderohet si një shenjë mirësjelljeje për kolegët e punës, dhe një përpjekje për të ndalur përhapjen e sëmundjes tek të tjerët.