Jeta normale pritet të kthehet dimrin e ardhshëm, thotë krijuesi i vaksinës për Covid-19

Ndikimi i vaksinës për COVID-19 pritet të vërehet në mënyrë të madhe gjatë verës dhe jeta pritet t’i kthehet normalitetit dimrin të ardhshëm, thotë një nga krijuesit e vaksinës.

Profesori Ugur Sahin, bashkëthemelues i BioNTech, thotë se ky dimër do të jetë i vështirë pasi vaksina nuk do të ketë ndikim të madh në numrin e të infektuarve.

Javën e kaluar, BioNTech dhe bashkë-zhvilluesi i vaksinës Pfizer, kanë informuar se analizat preeliminare të fazës së tretë të testimit të vaksinës potenciale, kanë treguar se vaksina ka efikasitet deri 90 për qind për të parandaluar infektimin me koronavirus, raporton BBC.

Rreth 43 mijë persona kanë marrë pjesë në testim. Britania pritet të marrë 10 milionë doza deri në fund të vitit, ndërsa janë porositur 30 milionë doza tjera. Vaksina jepet në dy doza, tri javë ndaras nga njëra-tjetra.

Të moshuarit dhe stafi në shtëpitë e kujdesit pritet të kenë prioritet për t’u vaksinuar, pasuar më pas nga punëtorët shëndetësorë. Njerëzit më pas do të renditen sipas moshës.

Në një intervistë për BBC, Sahin, ka thënë se është i bindur se vaksina do të reduktojë bartjen mes njerëzve si dhe do të ndalojë zhvillimin e simptomave te personat që e marrin atë.

Është e bindur që vaksina do të përgjysmojë shkallën e përhapjes, që do të kishte ndikim të madh.

“Jam shumë i sigurt që bartje mes njerëzve do të reduktohet nga një vaksinë aq efikase – ndoshta për 90 për qind ndoshta 50 për qind – por nuk duhet të harrojmë se edhe kjo mund të rezultojë në reduktim dramatik të përhapjes së pandemisë”, ka thënë Sahin.

Profesori Sahin ka thënë se do të duhet më tepër kohë për t’iu kthyer jetës normale. Ai ka parashikuar që kjo të ndodhë nga dimri i vitit të ardhshëm.

“Nëse çdo gjë shkon mirë, vaksina pritet të ofrohet në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit të ardhshëm. Synimi është të dorëzohen 300 milionë doza nëpër botë deri në prill, e kjo do të na lejonte të fillonim të kishim ndryshim. Vera do të na ndihmojë pasi niveli i infeksionit do të ulet në verë dhe ajo që do të jetë esenciale është të kemi shkallë të lartë vaksinimi deri apo para vjeshtës/dimrit të vitit të ardhshëm”, ka thënë Sahin.