Jemen, Ban Ki Moon: Palët të ulen në tryezën e negociatave

Jemeni po kthehet në një tjetër vatër të nxehtë në një rajon të mundur prej konflikteve, e jo pa qëllim, sekretari i përgjithshëm i OKB-së e përshkroi si “një vend në flakë”.

E vetmja zgjidhje, për Ban Ki Moon, është që palët t’iu japin fund armiqësive e të ulen në tryezën e negociatave.

“Procesi diplomatik i mbështetur nga Kombet e Bashkuara, mbetet rruga më e mirë për të dalë nga një luftë me pasoja të tmerrshme për qëndrueshmërinë rajonale. Në Jemen duhet të vendoset menjëherë armëpushimi”, theksoi Ban Ki Moon.

Të paktën 700 vetë kanë humbur jetën që kur koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite filloi sulmet ajrore tre javë më parë kundër kryengritësve Huthi, të mbështetur siç besohet gjerësisht nga Irani. Më herët, i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Jamal Benomar, zgjodhi të tërhiqej nga kjo detyrë pasi ulja e palëve në tryezën e bisedimeve të paqes dështoi.

Vendin e tij pritet ta zërë shumë shpejt diplomati nga Mauritania, Ismail Cheikh Ahmed. Sauditët dhe shumë nga aleatët e tyre, nuk e kanë fshehur pakënaqësinë me atë që e konsiderojnë qasje tepër të butë të Benomarit ndaj rebelëve.

Fushata e sulmeve ajrore nuk i ka dhënë deri tani ndonjë goditje vendimtare kryengritësve shiite, por ka ndihmuar sidoqoftë në krijimin e zonave të sigurta në disa pjesë të vendit. Huthit morën nën kontroll kryeqytetin Sana në shtator, ndërsa përparimet e tyre detyruan presidentin e mbështetur nga perëndimi, Abd-Rabbu Mansour Hadi, të largohet.