Japonia aktivizion avionët kundër Kinës dhe Rusisë

Qeveria japoneze ka vënë në lëvizje avionët luftarakë në nivel të paprecedent, si përgjigje ndaj provokimeve ajrore nga avionët rusë dhe kineze që i afrohen hapësirës së saj ajrore.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes në Tokio, sipas të cilës avionët e saj u ngritën në ajër 943 herë vitin e kaluar, një rritje me 16 për qind krahasuar me vitin 2013.

Ky është një rekord fare pak më i vogël se ai prej 944 fluturimeve të kryera në vitin 1984, gjatë Luftës së Ftohtë, kur avionët sovjetikë ishin shumë të pranishëm përreth Japonisë.

Megjithatë, asnjë mjet fluturues nuk ka shkelur hapësirën ajrore japoneze, ka saktësuar Ministria e Mbrojtjes.

Transmetuesi publik japonez NHK njoftoi se fluturimet e avionëve luftarakë kishin rënë me rreth 150 raste në vit që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Por në vitet e fundit tensionet mes Japonisë dhe dy fqinjëve të saj të mëdhenj janë rritur, pasi si Kina ashtu edhe Rusia kanë pretendime territoriale ndaj Japonisë.

Tokio dhe Pekini janë në konflikt për shkak të ishujve në Detin Lindor të Kinës, që kontrollohen nga Japonia por që pretendohen edhe nga Kina.

Ndërkohë që përplasjet mbi ishujt në bregun verior të Japonisë që ishin marrë nga Rusia në fund të Luftës së Dytë Botërore vazhdojnë të tensionojnë marrëdhëniet mes Moskës dhe Tokios.

Ndaj, në përgjigje të këtyre tensioneve, Japonia ka nisur së fundmi rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, duke kthyer mbrapsht vendimet për kursime financiare.