Greqia nuk do t’i ofrojë ndihmë anijes iraniane me naftë

Greqia nuk do t’i ofrojë ndihmë anijes iraniane që po transporton naftë drejt Sirisë përmes Detit Mesdhe. Kështu ka thënë të mërkurën zëvendësministri i jashtëm grek, Miltiadis Varvitsiotis.

“Kemi dërguar porosi të qartë se nuk dëshirojmë ta ndihmojnë trafikimin e kësaj nafte drejt Sirisë në asnjë rast”, tha ky zyrtar për televizionin grek, ANT1.

Anija me emrin e ri “Adrian Darya 1”, e cila u lirua nga autoritetet e Gjibraltarit të hënën e kaluar, është duke transportuar një sasi prej dy milionë fuçi nafte të papërpunuar. Ajo është duke lundruar në drejtim të lindjes dhe pritej që të ndalej në qytetin bregdetar grek të Kalamata-s më 26 gusht.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që kjo anije të sekuestrohet, sepse ka lidhje me Rojet Revolucionare të Iranit, të cilat i cilëson si organizatë terroriste. ShBA-ja ka kërkuar nga Greqia dhe Qiproja që të mos i ofrojnë ndihmë kësaj anije.

Zëvendësministri i jashtëm grek tha se vendi i tij nuk e ka infrastrukturën e nevojshme detare për një anije kaq të madhe, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që ajo të ndalet në ujërat greke, shkruan “Reuters”