Gra, fëmijë e pleq të shtrirë në tokë para kufirit, dogana shqiptare nuk i lejon të hyjnë

Rreth 70 shtetas shqiptarë, mes tyre të moshuar, gra e fëmijë, kanë mbetur para derës së doganës shqiptare në Kakavijë prej orësh, kjo pasi pala shqiptare nuk i ka lejuar të hyjnë në territorin e vendit.

 

Qytetarët thonë se kanë mbetur në qiell të hapur, teksa pala greke i ka lejuar të kalojnë, por ndryshe nga ndodhur me palën shqiptare, e cila nuk po i lejon të hyjnë në Shqipëri.

Një qytetar i cili ka mbetur si të tjerët, ka folur për Oranews, duke deklaruar se kanë mbetur pa ushqim dhe në kushte mjaft të vështira. Ai shprehet se temperaturat janë të ulëta dhe se njerëzit kanë fjetur në mes të rrugës.

“Prej mëngjesit dhe deri në orën 14:00 na mbajtën në doganën greke ku më pas vulosën pasaportat. Prej atëherë dhe deri tani jemi në portën para doganës shqiptare.Kemi pleq, fëmijë. Keni dy netë që flemë rrugëve. Në sportel dogana thonë është e mbyllur dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Si t’ja bëjmë ne të vazhdojmë dhe të flejmë në të fortë prapë dhe një natë tjetër.Nuk kemi asnjë mbijetësë jashtë territorit shqiptar”.

E ndërsa kryeministri ka deklaruar se kufiri është mbyllur, qytetari ka këtë përgjigje.

“Me çfarë të rri, nuk kam para as për strehim dhe as ushqim. Është kollaj të thuash rri”.