Gjykata Evropiane dënon Moldavinë për dëbimin e shtetasve turq

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka obliguar Moldavinë të paguajë nga 25 mijë euro secilin mësues që e kishte dëbuar drejt Turqisë, nën akuzat se kishin lidhje me lëvizjen e Gulenit.

Sipas kësaj gjykate, Moldavia ka shkelur të drejtat e qytetarëve të dëbuar në shtator të vitit 2018. Shtatë qytetarë të huaj, përfshirë pesë mësuesit nga rrjeti i shkollave “Orizont”, ishin arrestuar në një operacion të kryer nga shërbimi sekret moldav dhe ai turk. Ata ishin dërguar direkt në aeroport dhe ishin dëbuar drejt Turqisë. Askush nga familjarët e tyre, sipas gjykatës, nuk ishte në dijeni për disa javë për fatin e të dëbuarve, transmeton Koha.net.

Edhe pse Qeveria e Moldavisë thotë se nuk ishte në dijeni atë kohë për frikën e të arrestuarve për dëbim në Turqi, Gjykata Evropiane ka thënë se në aplikimet e tyre për azil ishte vërejtur qartë frika se mund të persekutohen në Turqi.

Në njoftim theksohet se mësuesit kishin aplikuar për azil në muajin prill, por atyre kjo u ishte refuzuar dhe në shtator ishin arrestuar e dëbuar drejt Turqisë. Në shtator dhe tetor të vitit 2018, avokatët e mësuesve kishin apeluar në gjykatë ndaj vendimit të shtetit moldav.

Kujtojmë se në mars të vitit 2018 nga Kosova ishin dëbuar gjashtë shtetas turq e deri më tash askush s’ka marrë përgjegjësi lidhur me rastin. Kuvendi i Kosovës ka formuar një Komision Parlamentar për këtë rast me ç’rast ka intervistuar krerë institucionesh, përfshirë edhe presidentin Hashim Thaçi. Ky Komision deri tash ka thënë se ka evidentuar 31 shkelje.