Gjermania do ta ndryshojë ligjin e periudhës naziste që ndalon të dhënat për kryerje të abortit

Partitë gjermane të koalicionit qeveritar janë pajtuar në parim që ta zbusin një ligj të epokës së nazizmit, në bazë të të cilit mjekët nuk kanë të drejtë të ofrojnë informata apo të bëjnë reklama lidhur me shërbimet për kryerjen e abortit.
Nëse këto ndryshime miratohen, gjinekologët, spitalet dhe sektorët tjerë publikë të shëndetësisë do të kenë të drejtë të japin të dhëna themelore për vendin dhe mënyrën e kryesrjes së abortit nga gratë që kanë mbetur shtatzëna dhe që nuk duan të lindin fëmijë.

Pritet që ky ndryshim ligjor të miratohet nga kabineti i Angela Merkelit më 6 shkurt dhe më pas të votohet në parlament. Abortet në Gjermani janë të lejuara me ligj por realizimi i këtij veprimi pengohet në mënyra të ndryshme, siç është neni 219a, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 1933, pak kohë pas ardhjes në pushtet të Adolf Hitlerit.

Vitin e kaluar, një gjinekologe gjermane ishte ndëshkuar me gjashtë mijë euro gjobë për shkak se kishte publikuar të dhëna për shërbimet e abortit në faqen e saj në internet. Ky rast kishte nxitur fillimin e një debati brenda qeverisë gjermane.

Ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se gratë duhet të kenë qasje në të dhëna themelore por shtoi se abortet nuk duhet të reklamohen, shkruan “The Guardian”.