Fillon Samiti dyditor i NATO-s

Aleanca më e fuqishme dhe më e suksesshme ushtarake në botë, NATO, po e feston 70-vjetorin e themelimit gjatë një samiti dyditor, i cili do të mbahet në Londër të martën dhe të mërkurën, më 3 e 4 dhjetor.

Të njëzetenëntë aleatët do të kenë shumë gjëra për t’i diskutuar gjatë këtyre dy ditëve, përfshirë të ardhmen politike të organizatës për shkak të shenjave të përçarjes disa ditë para fillimit të bisedimeve.

Franca, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara po shkojnë në këtë samit me pikëpamje të ndryshme.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pyetur pse Uashingtoni duhet ta mbrojë Perëndimin dhe ka bërë thirrje që shtetet anëtare t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, kjo gjë tashmë ka ndodhur, sepse aleatët i kanë rritur shpenzimet për mbrojtje për 130 miliardë dollarë nga viti 2016.

Kanadaja, Turqia dhe shtetet evropiane pritet të zotohen për shpenzim të 400 miliardë dollarëve në sektorin e mbrojtjes deri në vitin 2024 për ta qetësuar presidentin amerikan.

Në anën tjetër, Turqia është kritikuar për blerjen e sistemit të sofistikuar rus për mbrojtje ajrore, i cili nuk përshtatet me sistemet e NATO-s.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, muajin e kaluar tha se truri i NATO-s ka vdekur. Megjithatë, ndaj kësaj deklarate reagoi Gjermania, duke thënë se NATO-ja është gjallë dhe duke bërë thirrje për unitet, shkruan “Free Europe”.