Familja Abazi një javë pas tragjedisë – kush u premtoi ndërtimin e një shtëpie dhe riparimin e dy tjerave

Gjashtë jetimët e familjes Abazi, shumë shpejtë pritet që të hyjnë në shtëpitë e tyre të reja. Ndërtimin e tyre do ta mundësojë hoxha i Tiranës Elvis Naçi. Punimet parashihet që të nisin të shtunën. Ndërkohë e pamja për dy vëllezërit Isa e Shemsedin Abazi që humbën jetën në tërmetin që e goditi Shqipërinë në 26 nëntorin e këtij viti, po vazhdon ende.

Pranë shtëpisë dykatëshe të Isa Abazit, në fshatin Livoç të Gjilanit gjenden disa pajisje të veturave. Ato, tashmë i ndjeri, për muaj me radhë i kishte grumbulluar në Shqipëri për një arsye të vetme – t’i shes pastaj në garazhet që rregullojnë vetura.

E pamja për dy vëllëzërit Abazi- fshati Livoç-Gjilan

Këtë punë, Isa Abazi bashkë me vëllain e tij, Shemsedinin, po e bënin që disa vite. Me paratë të cilat i fitonin nga kjo punë, këta dy vëllezër mbanin familjet.

Por, ato pajisje tash kanë mbetur ashtu- të paprekura.

Të dy vëllezërit gjetën vdekjen pas tërmetit që e goditi Shqipërinë në mëngjesin e 26 tetorit të këtij viti derisa po qëndronin në njërin nga hotelet e Durrësit.  Ata u varrosën një ditë pas, në varrezat e fshatit Livoç. Familjet e të ndjerëve jetojnë në kushte të rënda ekonomike.

 Kjo familje e ka vazhduar edhe për disa ditë të pamën për djemtë e tyre.
Shtëpia e familjes Abazi- Livoç

E ishin me dhjetëra njerëz që sot ia kishin mësyrë dyerve të shtëpisë së dy vëllezërve që gjetën vdekjen nga tërmeti në Durrës. Shumë nga ta ofronin ndihma për familjet e të ndjerëve.

Njëri nga familjarët e Shemsedinit dhe Isa Abazit, tregoi se qytetarët në masë të madhe janë duke i dalë në ndihmë këtyre familjeve.

Akumulatorët e veturave të cilat i kishin blerë në Shqipëri vëllëzërit Abazi

“E kemi vazhduar të pamën edhe për disa ditë. Interesimi i qytetarëve për të shprehur ngushëllime është i madh. Në ndihmë po na vijnë shumë persona. Këta jetimë kanë mbetur në gjendje të rëndë ekonomike. Pa baba, e në kushte të vështira”, rrëfen për gazetën njëri nga familjarët e viktimave.

E shtëpitë e Shemsedini e Isa Abazit tashmë të ndjerë nuk i plotësonin as kushtet minimale për jetesë. Ato ishin të pa meremetuara me dhoma të cilat ishin mbuluar nga myku.

Por në ndihmë për këto familje tashmë është vënë hoxha nga Shqipëria, Elvic Naçi. Ai tashmë do ta ndërtojë nga fillimi shtëpinë e prindërve të dy vëllezërve të ndjerë si dhe do t’i riparojë të dy shtëpitë e Isa e Shemsedin Abazit.

Punimet do të nisin porsa të përfundojë e pamja për këta vëllezër.

Kështu deklaruan për Express, familjarët e të ndjerëve.

“Shtëpitë na ka thanë Elvis Naçi se do të na i ndërtojë. Sot ishin këtu ata ekspertët për me pa se si do të fillojnë ndërtimet dhe kur. Na thanë që porsa të përfundojë e pamja do t’i fillojnë ndërtimet. E falënderojmë përzemërsisht hoxhën e Tiranës”, thonë nga familja.

Tërmeti i fuqishëm prej 6.4 shkallë të Rihterit që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit ishte fatal për dy vëllezërit të cilët nuk arritën t’i mbijetojnë shembjes së hotelit në të cilin gjendeshin.

Nga tërmeti që goditi Shqipërinë deri më tani janë konfirmuar 52 viktima dhe mbi 900 të lënduar.