Ergodan dhe Putin pritet të takohen gjatë këtij muaji

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin, pritet të takohen, ku temë kryesore e bisedimeve pritet të jetë vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të tërhequr trupat nga Siria.

Takimi Erdogan-Putin pritet të mbahet gjatë këtij muaji, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve turke, Anadolu. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov ka thënë po ashtu se të dy presidentët janë pajtuar që të mbajnë një takim së shpejti.

Erdogan dhe Putin herën e fundit ishin takuar në margjinat e samitit të G20-ës që u mbajt në Buenos Aires më 1 dhjetor, 2018.

Turqia mbështetë grupet rebele opozitare në Siri, ndërkaq Rusia dhe Irani mbështesin Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump më 20 dhjetor, 2018, njoftoi se do të tërheqë trupat amerikane nga Siria. Lidhur me tërheqjen e trupave amerikane, këshilltari për siguri kombëtare i Trumpit, John Bolton tha se do të bisedojë me zyrtarët ushtarakë turq, gjatë ditës së martë, kur pritet edhe të vizitojë këtë vend.