E dhimbshme: Përcillen viktimat e masakrës së Srebrenicës

Qytetarë të shumtë të Sarajevës, para ndërtesës së presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH) sot përcollën kamionin me arkivolet e 33 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, raporton Anadolu Agency (AA).

Mbetjet mortore do të varrosen të enjten, më 11 korrik në Potoçari. Disa me lule, e disa me lot, banorët e Sarajevës sot nderuan viktimat e pafajshme të Srebrenicës, të vrarë në korrik të vitit 1995.

Para ndërtesës së Presidencës së BeH-së, në përcjelljen e viktimave të Srebrenicës, përveç familjeve të viktimave ishin dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe bashkëshortja e tij Emine Erdoğan, anëtarët e Presidencës së BeH-së, Shefik Xhaferoviç dhe Zheljko Komsiç, Reis-ul-ulemaja i Bashkësisë Islame në BeH, Husein Kavazoviç, kryetari i Asamblesë Parlamentare të BeH-së, Bakir Izetbegoviç, një numër i ministrave të BeH-së dhe Turqisë, ambasadorë, kryebashkiaku i Sarajevës Abdullah Skaka, anëtarë të Shoqatës “Nënat e Srebrenicës” – Zhepa dhe shumë qytetarë të Sarajevës.

Të shoqëruar nga policia dhe qytetarët, kamioni me 33 mbetjet mortore të viktimave të Srebrenicës, vazhdoi, duke u ndalur te Monumenti i “Fëmijëve të vrarë të Sarajevës”, flakadani i përhershëm, Tregu i qytetit, tregu Markale apo pranë pllakës përkujtimimore të viktimave të Sarajevës gjatë periudhës së agresionit në BeH, deri në Kuvendin e Qytetit në daljen lindore të qytetit, nga ku vazhdoi udhëtimin e tij në Potoçari.

Viktima më e re që do të varroset në Potoçari këtë vit është Osman Cvrk, i lindur në vitin 1979. Ai ishte i mitur në kohën e vrasjes, ishte vetëm 16 vjeç. Në arkivolin e gjelbër të Osmanit të ri ka mbetje që janë gjetur në disa vende të ndryshme.

Këtë vit do të varrosen edhe babai dhe djali Zaim dhe Fuad Pilav. Po ashtu do të varrosen vëllezërit Mujiç, Fahrudin (25) dhe Zijo (28), pastaj vëllezërit Isakoviç. Në momentin kur u vra, Asim Isakoviç ishte 20 vjeç, ndërsa vëllai i tij Kasim ishte vetëm dy vjet më i vjetër.

Në varrezat e Qendrës Memoriale të Srebrenicës – Potoçari deri më tani janë varrosur 6.610 viktima të gjenocidit dhe vazhdojnë kërkimet për më shumë se 1.000 persona të zhdukur nga Srebrenica.

Mbetjet e viktimave të gjenocidit janë gjetur në rreth 150 vende të ndryshme, nga të cilat më shumë se 70 varre masive. Viktima më e re deri më tani e varrosur në Potoçari është një foshnje e sapolindur, një vajzë e vogël Fatima Muhiç, ndërsa lokja më vjetër është Shaha Izmirliç, e lindur në vitin 1901.